Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës dyshohet se është përfshirë sot nga një valë e dorëheqjeve në menaxhment.
Të enjten e shtatë dhjetorit, rreth orës 14:00, kanë dhënë dorëheqje i gjithë menaxhmenti ekzekutiv.
Enver Beqiri ud. i drejtorit ekzekutiv; Fatbardh Rexha ud. i drejtorit shëndetësor; Merita Habibaj ud. drejtoreshë e Infermierisë dhe Hajrije Mustafa ud. drejtoreshë operative, janë personat të cilët kanë dhënë dorëheqje nga posti i tyre.
Zyra për Informim dhe komunikim me Media nga Spitali i Mitrovicës as nuk e kanë pohuar e as mohuar shkarkimin e menaxhmentit ekzekutiv të këtij spitali.
Ndërsa, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se nuk është përgjegjësi e komunës Spitali i Mitrovicës dhe se nuk mund të japë ndonjë përgjigje pa pasur konfirmim zyrtar nga SHSKUK-ja.
“Spitali i Mitrovicës nuk është kompetencë e drejtorisë së shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës. Ai është pronë nga Ministria e Shëndetësisë. Nuk mundem me japë përgjigje pa pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga autoritetet kompetente”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Beqiri erdhi në këtë pozitë para një muaji, pas dorëheqjes së ish-drejtoreshës Luljeta Zhubi.
Pas marrjes së detyrës, Beqiri ka emëruar edhe udhëheqësit e tjerë të cilët sot kanë dhënë dorëheqje.