Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar vendimin e Themelores për anulimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Tahiri ka thënë se “loja dhe mashtrimi i kësaj Qeverie me pagat në sektorin publik po vazhdon të dekonspirohet”.
Sipas tij, gjyqësori për këtë Qeveri nuk është asgjë më shumë sesa një degë politike e saj.
“Gjykata e Apelit e konfirmon edhe njëherë me vendimin e shkallës së parë, sipas të cilit, Qeveria veproi kundër ligjit me uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Duke qenë që kjo Qeveri është kundër sundimit të ligjit dhe kundër ndarjes së pushteteve, nuk duhet të çuditemi edhe nëse nuk i zbaton verdiktet e gjykatave. Sipas kësaj Qeverie, gjyqësori nuk është asgjë më shumë sesa një degë politike e saj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ndryshe, Gjykata e Apelit të enjten ka vërtetuar vendimin e Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin, është aprovuar në tërësi kërkesëpadia e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, ndërsa është anuluar si i kundërligjshëm vendimi i të paditurës- Qeveria e Republikës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020.