Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimovic ka kryer një operim në gju dhe do të qëndrojë larg futbollit për tetë muaj. Ibrahimovic ka thënë se përse për një kohë të gjatë ka luajtur me dhimbje të mëdha në ligamentin e gjurit të majtë.
40-vjeçari, ka sakrifikuar shëndetin e tij që Milani ta fitojë titullin e kampionit në Seria A, pas 11 vjetësh pritjeje.
“Për gjashtë muajt e fundit kam luajtur pa ligament në gjurin tim të majtë. Gjuri im ka qenë i ënjtur për gjashtë muaj. Kam qenë në gjendje të stërvitem me ekipin vetëm 10 herë në gjashtë muajt e fundit. Më janë dashur më shumë se 20 injeksione në gjashtë muaj”, ka thënë sulmuesi suedez.
“Për gjashtë muaj e kam zbrazur gjurin nga ujërat një herë në javë. Mezi kam fjetur gjumë për shkak të dhimbjeve për gjashtë muaj. Asnjëherë nuk kam vuajtur kaq shumë brenda dhe jashtë fushës. Bëra diçka të pamundur në diçka të mundshme”, ka shtuar Zlatan Ibrahimovic.
Zlatan Ibrahimovic ka shkruar në postim se në mendjen e tij kishte vetëm një objektiv, t’i bënte shokët dhe trajnerët e tij kampionë të Italisë, sepse u kishte premtuar. Ibrahimovic ka thënë se tashmë ka një ligament të ri dhe një trofe më shumë.