Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se vrasja e Liridona Ademajt është krim i rëndë dhe femicid, për të cilin duhet të kërkohet drejtësi.
Ajo në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës, “Gratë për Vetëvendosje” ka thënë e Liridona u vra si pasojë e femicidit.
“Pabarazia gjinore e rrënjosur thellë në strukturën shoqërore herë pas here na shpërfaqet në mënyrën më monstrume siç ishte edhe rasti i fundit i vrasjes së Liridonës. Burrat patriarkalë po i vrasin gratë, gratë po vriten nga burrat apo partnerët e tyre, ky është krim i rënd , ky është femicid, për këtë rast dhe për secilin rast kërkojmë drejtësi….kushdo që me ose pa vetëdije i hyn diskutimit pse një burrë ushtron dhunë ose pse një burrë vret një grua, është duke tentuar ta justifikojë dorasin, është duke tentuar ta normalizojë dhunën dhe të tillë që e fajësojnë viktimën janë në anën e dhunuesve”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se si ministri kanë ndërmarrë shumë aktivitete kundër dhunës dhe femicidit.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.
Në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, Granit Plava është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Zemërim të madh ka shkaktuar edhe fakti që burri i saj ka qenë pjesë e ceremonisë së varimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë personat e përfshirë në vrasjen e Liridonës duhet ta marrin dënimin maksimal.