Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ka lëvduar qeverisjen e tij e ka kritikuar ato të kaluarat.
Kurti përmes një videoje në Facebook ka thënë se e kanë raportuar krimin e korrupsionin që “e kanë gjetur” nga qeveritë e kaluara.
Ai ka thënë se shoqërinë në Kosovë për gjatë këtyre vjetëve e ka përcjellur korrupsioni, sipas tij, “si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive”.
“Sot ju drejtohem të gjithëve pa dallim, për të adresuar një çështje të rëndësisë madhore e që ka përcjellë shoqërinë tonë për vite me radhë, si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive. Pra: korrupsionin. Sot, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të theksoj rëndësinë e luftimit të korrupsionit, duke përkujtuar pasojat që të gjithë kemi ndier për vite me radhë, e që rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit. Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka deklaruar se luftimi i korrupsionit ka nisur nga Qeveria e tij për nga brenda e që ta shtrijë në çdo segment tjetër.
“Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë. Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë”, ka vijuar ai.
Tutje, shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe ligjet që partitë opozitare i kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese, ku tha se këtë e kanë bërë me secilin ligj që imponon reformë të pashmangshme në sistem.
“Me punë të madhe e procese gjithëpërfshirëse kemi hartuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Ligj do prek secilin që ka përfituar në kurriz tuajin e që ka pasuruar xhepat në dëm të Republikës. Ky Ligj do bëhet dhe do zbatohet ashtu si është menduar dhe punuar. Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet”.
Kurti ka thënë ndër të tjera se në vazhdim të punës kundër korrupsionit, në vijim do prezantojnë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit.
“Në vazhdim të punës tonë kundër korrupsionit, në vijim do prezantojmë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit – vizionin e Qeverisë tonë për vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike. Ju ftoj të gjithëve të na bashkëngjiteni në këtë udhëtim të përbashkët, proces gjithëpërfshirës që për herë të parë, siguron strategji për qytetarin e Republikës e jo për sirtarë të arkivave të Qeverisë. Të bëhemi të gjithë pjesë e rrugëtimit të pashmangshëm drejt së ardhmes më të ndritur”.