Një vajzë dyshohet se është dhunuar në komunën e Pejës.
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore.
“Pas veprimeve hetimore dhe ekzaminimit mjekësor të viktimës, dyshohet se është dhunuar viktima. Për këtë çështje janë autorizuar nga Prokurori i shtetit, Policia e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit apo personave te dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale”, ka thënë Nikçi për Dukagjinin.
Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka bërë të ditur se viktima është shtetase e Shqipërisë dhe e njëjta ishte raportuar në Policinë e shtetit shqiptar si person i zhdukur.
“Pejë. 08-09.12.2023 – 18:00-09:00. Nga njësitë policore në Pejë është gjetur viktima femër shtetase e Shqipërisë, e cila ishte raportuar në Policinë e shtetit të Shqipërisë si person i zhdukur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin e njëjta është dërguar në emergjencë për kontroll mjekësore, ndërsa nën dyshimin se ndaj të njëjtës është kryer vepra penale “Dhunim”, me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për ekzaminim në IML.
Rasti, sipas Policisë, është duke u hetuar.