Rusia synon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në territoret e pushtuara ukrainase

Rusia ka vendosur të mbajë zgjedhjet presidenciale në katër rajone të Ukrainës, të cilat pretendon se i ka aneksuar vitin e kaluar. Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë ka shpallur se votimet do të zhvillohen në Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson

Zgjedhjet e mbajtura në Donjeck, në shtator të këtij viti.

Votimet në zgjedhjet presidenciale të Rusisë – proces në të cilin pritet të fitojë presidenti aktual, Vladimir Putin – do të mbahen në katër rajone ukrainase që Kremlini pretendon se i ka aneksuar vitin e kaluar, ka thënë Moska.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se procesi i votimit në mars do të zhvillohet edhe në Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson – rajone ukrainase, në të cilat Rusia nuk ka kontroll të plotë ushtarak.

“Vendimi është miratuar në mënyrë unanime”, ka thënë zëvendëspresidenti i komisionit Nikolay Bulayev, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Zgjedhjet do të mbahen tri ditë, prej 15 deri më 17 mars, vendim që sipas kritikëve të Kremlinit, e bën më të vështirë garantimin e transparencës.

Putin nuk pritet të përballet me kundërkandidatë të fortë në synimet e tij për të fituar një mandat të pestë, pasi shumica e pjesëtarëve të opozitës janë të burgosur ose në ekzil.

Pesë parti janë lejuar që t’i çojnë përpara kandidatët e tyre për zgjedhjet e vitit 2024.

Të gjitha e mbështesin Kremlinin dhe luftën e Moskës në Ukrainë.

Ukraina i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “që t’i dënojë me rezolutë qëllimet e Rusisë për t’i mbajtur zgjedhjet në territoret e pushtuara ukrainase”.

Kievi, po ashtu, i ka bërë thirrej Perëndimit që t’i sanksionojë individët që janë përgjegjës.

Në të kaluarën, Rusia ka mbajtur zgjedhjet në rajonet e pushtuara në Ukrainë, proces që nuk është njohur nga Kievi dhe Perëndimi.

Moska ka mbajtur proces votimi për zyrtarët lokalë në katër rajonet ukrainase, në shtator të këtij viti.

Një vit më herët, Moska ka mbajtur “referendum” për t’i aneksuar territoret në fjalë.

Të dyja proceset e votimit janë dënuar prej Kievit dhe Perëndimit.

Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe ka mbajtur zgjedhje atje qysh atëherë.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën, shkruan REL.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika