Maqedonci për sulmin në Banjskë: Grupi terrorist kishte aftësi ushtarake, mbështetej nga Serbia

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se bazuar në faktet që ata i posedojnë, grupi që sulmoi veriun e Kosovës më 25 shtator, ishte grup i mbështetur nga strukturat shtetërore të sigurisë në Serbi. Sipas tij, ky grup terrorist kishte aftësi ushtarake

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se bazuar në faktet që ata i posedojnë, grupi që sulmoi veriun e Kosovës më 25 shtator, ishte grup i mbështetur nga strukturat shtetërore të sigurisë në Serbi.

I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Maqedonci ka thënë se sistemet e armatimit si antitanket, 40-milimetërshit, dhe të tjera sisteme që janë gjetur gjatë këtij operacioni, janë sisteme që janë pjesë e inventarit të ushtrisë së Serbisë.

“Bazuar në evidencat, bazuar në faktet e deritanishme, kemi ardhur në konkluzion të qartë që ky grup kishte synim, aneksim të pjesshëm të territorit në veri të vendit, ishte i mbështetur nga strukturat shtetërore të sigurisë në Serbi, kjo për arsye të fakteve që e dëshmojnë këtë, dhe këto fakte lidhen me sistemin e armatimit që ky grup përdori gjatë sulmit në veri dhe që janë sisteme që prodhohen në fabrikat shtetërore të Serbisë…. këto sisteme normalisht nuk shiten në treg, nuk jepen pa leje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe është e pamundur për qytetarët në rrethana normale që ato të blihen në fabrika. Por nëse ka ndodhur që ato janë blerë ilegalisht, kjo e bën edhe më të rrezikshëm sistemin në Serbi, për shkak se nënkupton që Serbia për shkak të moskontrollit të fabrikave dhe shitjeve mund të prodhojë terroristë të tillë siç ishte Radojçiq dhe grupi i tij”, tha ai.

Se a ka prova të mjaftueshme që e dëshmojnë ndërlidhjen e kriminelit Milan Radojçiq me Ministrinë e Mbrojtjes në Serbi, ministri Maqedonci thotë se posedojnë një fletëdorëzim të një prej pajisjeve.

“Kemi fletëdorëzim të një prej pajisjeve, që është fletëdorëzim që është bërë nga fabrika shtetërore e ushtrisë serbe dhe i cili i është dhënë në dispozicion grupit për të kryer sulmin. Në hartat e gjetura dallohen qartë shenjat taktike ushtarake të cilat përdoren nga profesionistët ushtarakë”, shtoi ai.

Po ashtu, ai theksoi ky grup ka pasur aftësi ushtarake, por që ka bërë disa kalkulime të gabuara gjatë rrugës.

“Po, ka pasur aftësi ushtarake. Në aspektin strategjik, ky grup ka bërë disa kalkulime të gabuara, një nga to ka qenë që do të marrin me lehtësi pjesën e territorit atje, kanë supozuar që policia nuk do të jetë e aftë të përballet me atë grup, FSK do të ndërmarrë operacione në atë mënyrë që të ndërtojnë narrativën që shteti i Kosovës bashkë me ushtrinë e Kosovës po tenton ta zbrazë atë pjesë nga popullata serbe, pra të inskenojnë një gjenocid, si dhe ka qenë një kalkulim i gabuar i tyre që Policia e Kosovës gjatë veprimeve mund të bëjë ndonjë dëm, të vrasë ndonjë civil. Kanë qenë pjesë e supozimeve që nuk iu dolën të sakta. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e shumë faktorëve. Së pari për shkak të profesionalizmit të Policisë së Kosovës, maturisë që tregoi Qeveria duke mos marrë hapa të nxituara, koordinimi i vazhdueshëm me KFOR-in, NATO-n dhe EULEX-in, të gjitha këto kanë penguar zbatimin e planit të tyre”, tha ai.

Po ashtu, Maqedonci potencon se një tjetër arsye e dështimit ka qenë edhe mungesa e motivit të qartë.

“Këtij grupi i kanë prirë oligarkët, njerëzit e korruptuar siç është Radojçiq, kriminelë të dëshmuar… pra në një luftë për çlirim pavarësisht rrethanave qytetarët e vendit shkojnë pas njerëzve që kanë ideal lirinë e vendit. Në këtë rast kemi kauzë kriminale”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, teksa pyetet se a ka qenë FSK-ja e gatshme të lëshojë një urdhër që në rast të ndonjë beteje më të madhe të ndërhyjë, Maqedonci thotë se në rast se kjo do të ishte e nevojshme, atëherë FSK-ja patjetër që do të ishte e gatshme për të realizuar operacionin.

“Nëse KFOR-i do të kishte pasur nevojë të përfshirjes së FSK-së për mbështetje të tij për menaxhimin e situatës, atëherë FSK patjetër që do të ishte e gatshme për të realizuar operacionin nën mbështetje të KFOR-it për mbështetje të territorit”, tha më tej ai.

A ka FSK-ja njësi të specializuara?

Ministri i Mbrojtjes thotë se kanë validuar një regjiment që është një nga njësitë më të mëdha të FSK-së.

Kjo për të zhvilluar operacione në mbrojtje të territorit.

“Gjatë ushtrimit DEFENDER EUROPE 2023, kemi validuar një regjiment që është një prej njësive më të mëdha të FSK-së, për të zhvilluar operacione të mbrojtjes së territorit. Është njësi e validuar dhe certifikuar nga instruktorët e SHBA-së dhe ata të NATO-s, e trajnuar që disa vite, dhe është e gatshme si njësi për të zhvilluar operacione luftarake. Po zhvillojmë njësi të tjera. Deri në vitin 2025, do t’i kemi tri regjimente të tillë të trajnuara për të kryer operacione luftarake, por aktualisht e kemi validimin e një regjimenti që është bërë sivjet”, tha ai, teksa shton se validim nënkupton certifikim për të kryer detyrat sulmuese, mbrojtëse dhe stabiliteti.

“Grupi terrorist nuk ka qenë i organizuar në formatin që të zhvillonte luftë në staza të gjata, duke pasur parasysh motivin e tyre, besoj që shumë shpejt do të eliminohej, mposhtej, ashtu siç u mposht nga policia që nuk supozohet që të zhvillojë operacione ushtarake”.

“E di që të gjitha shtetet që kanë prezencë ushtarake normalisht që e kanë nevojën për të pasur informacion, por edhe EULEX është duke punuar në zbardhjen e këtij rasti. Edhe kërkimi i Radojçiq nga INTERPOL-i, tregon që me të vërtetë para Bashkësisë Ndërkombëtare është dëshmuar qartë që ky grup kishte synime agresive, terroriste kundër sovranitetin dhe territorit tonë”.

“48 bazat ushtarake përreth kufirit të Kosovës – kërcënim serioz”

Lidhur me bazat ushtarake të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën, ministri Maqedonci thotë se paraqesin kërcënim.

“Kemi informacione që këto 48 baza ushtarake janë që disa vite të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën. Janë baza që në fakt janë tejzgjatje e njësive më të mëdha që janë brigada të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të Serbisë, në Rashkë, Nish dhe Vranjë dhe për ne paraqesin kërcënim, prezenca, militarizimi i Serbisë, veçanërisht militarizimi i zonës përreth Kosovës gjithmonë paraqet kërcënim, shtoja kësaj qasjen hegjemoniste të politikës serbe në raport me Kosovën… të gjitha këto elemente për ne paraqet kërcënim. Jo vetëm militarizimi i zonës përreth Kosovës, është militarizimi i vetë Serbisë, militarizimi i ushtrisë serbe, blerjet që bëjnë me Rusinë dhe Kinën, të gjitha këto paraqesin kërcënim për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Maqedonci foli edhe për influencën ruse, që, sipas tij, e tejkalon aspektin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Serbinë.

“Kjo vjen për shkak të lidhjeve historike që Serbia kas pasur me Rusinë dhe për shkak të qasjes, synimeve ruse për të pasur qasje në Ballkan, në Detin Adriatik dhe Mesdhe, të gjitha këto e bëjnë Serbinë të ekspozuar te influenca ruse dhe me të vërtetë kjo influencë paraqet rrezik për gjithë Ballkanin”, tha ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika