Biden nesër pret në Shtëpinë e Bardhë Zelenskyy-n

Presidenti, Joe Biden, ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të martën në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti, Joe Biden, ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të martën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa administrata amerikane i kërkon Kongresit të miratojë ndihmat shtesë për Ukrainën, e cila po mbrohet nga agresioni i Rusisë.

Vizita synon “të nënvizojë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur popullin e Ukrainës ndërsa mbrohet nga sulmi brutal i Rusisë”, thuhet në një deklaratë të qarkulluar nga Shtëpia e Bardhë të dielën.

Zyra e presidentit Zelenskyy konfirmoi se ai ka pranuar ftesën e presidentit Biden. Ai është ftuar, gjithashtu, të flasë në një takim me të gjithë senatorët amerikanë.

Presidenti Biden i ka propozuar Kongresit një paketë ndihmash prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe Izraelin, si dhe për prioritete të tjera të sigurisë kombëtare. Por, të mërkurën, senatorët republikanë bllokuan projektligjin duke thënë se Shteteve të Bashkuara u nevojiten ndryshime madhore për sigurinë kufitare.

Disa republikanë po kërkojnë dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve të paligjshëm, duke ua hequr mundësinë për të kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara. Ata, gjithashtu, kanë kërkuar pakësim të ndjeshëm të programeve të administratës së presidentit Biden që u kanë lejuar qindra mijëra emigrantëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa Kongresi pritet të fillojë pushimet e festave të fundvitit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur shqetësim të thellë se ndihmat amerikane mund të mos mbërrijnë në Ukrainë përpara fillimit të dimrit.

Duke folur për kanalin televiziv ABC, sekretari Blinken tha se Shteteve të Bashkuara po u mbarojnë fondet e caktuara për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon luftën ndaj forcave ruse. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë fonde shtesë për Ukrainën.

“Duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur kërkesa për buxhetin shtesë”, tha sekretari Blinken gjatë intervistës. Ai theksoi se Ukraina ka bërë një “punë të jashtëzakonshme” duke luftuar agresionin rus dhe duke rifituar 50% të territorit të saj gjatë vitit të kaluar.

Sekretari Blinken, gjithashtu, vuri në dukje se 90% e fondeve për Ukrainën investohen në Shtetet e Bashkuara. “Për sa i përket prodhimit të materialeve, municioneve dhe armëve që shkojnë tek ukrainasit, kjo bëhet pikërisht këtu, në Amerikë”, tha ai.

Lavrovi fajëson Ukrainën, Shtetet e Bashkuara

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha të dielën se Perëndimi po përpiqet ta lodhë Rusinë në Ukrainë dhe se bisedimet e mundshme të paqes duhet të iniciohen nga Kievi.

“U mbetet ukrainasve që të kuptojnë se sa thellë gjenden brenda gropës ku i kanë futur amerikanët”, tha Lavrov.

Kur u pyet se cilat janë shanset për diplomacinë që të arrijë një armëpushim ose paqe, ai tha: “Duhen t’i telefononi Zelenskyy-t, pasi një vit e gjysmë më parë ai nënshkroi një dekret që ndalon negocimin me presidentin Putin”.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të dielën gjatë informimit me të dhënat më të fundit të zbulimit se Rusia ka grumbulluar sasi të mëdha raketash me vetëdrejtim, për t’i përdorur për fushatën e dimrit në Ukrainë.

Raketat u përdorën edhe të enjten, tha ministria britanike, në një valë sulmesh masive ndaj Kievit dhe Ukrainës qendrore.

Megjithëse ministria britanike tha se sulmet me raketat duket se patën në objektiv degradimin e infrastrukturës energjitike të Ukrainës, njoftimet fillestare tregojnë se Ukraina interceptoi me sukses shumicën e tyre. Zyrtarët thanë se nga sulmet u vra një civil.

Bllokada hungareze

Ndërkaq shoferët hungarezë të kamionëve synojnë të bllokojnë pikën kryesore të kalimit kufitar me Ukrainën, në shenjë proteste ndaj furnizimit nga Ukraina me mallra më të lira për këtë vend të Bashkimit Evropian, duke dëmtuar kështu tregtinë vendase.

Kamionët ukrainas të transportit janë të përjashtuar nga detyrimi për të marrë leje kalimi drejt BE-së, që kur filloi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Shoferët e kamionëve në mbarë Evropën Lindore kërkojnë vendosjen e kufizimeve ndaj numrit të kamionëve ukrainas që hyjnë në Bashkimin Evropian.

“I kemi kërkuar BE-së të rishikojë marrëveshjen e nënshkruar me Ukrainën dhe të marrë parasysh interesat e transportuesve evropianë, ndër ta edhe të Hungarisë”, tha Tivadar Arvay, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Transportit Rrugor Hungarez, për agjencinë shtetërore të lajmeve MTI.

Shoferët polakë të kamionëve kanë bllokuar tri vendkalimet kufitare me Ukrainën, duke krijuar radhë të gjata prej kilometrash.

Ukraina ka arritur ta shmangë këtë bllokadë duke transportuar një pjesë të ngarkesave drejt Polonisë nëpërmjet linjave hekurudhore, njoftoi të dielën kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave “Ukrzaliznytsia”.

Autoritetet ukrainase thonë se rreth 3500 kamionë u bllokuan në kufirin polak deri të dielën në mëngjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë arritur një marrëveshje me protestuesit, të cilët ashtu si homologët e tyre hungarezë, kërkojnë ndaljen e hyrjes pa kufizime në BE të kamionëve ukrainas./VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika