Sot, të hënën e 11 dhjetorit, rreth orës 19:00 ka ndërruar jetë Andrew Strong, avokati mbrojtës i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Lajmi u bë i ditur nga ish-këshilltari i Veselit, Avni Bytyçi, i cili tha se Strong gjithashtu kishte mbrojtur në Hagë edhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.
“Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z.Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën”, ka shkruar ish-këshilltari i Kadri Veselit, Avni Bytyçi.
Sipas Bytyqit, avokati Andrew Strong e meriton titullin avokati mbrojtës i UÇK-së, pasi vite më parë ai ka qenë në të njëjtin rol, duke e mbrojtur Ramush Haradinaj.
“Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z.Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën”, ka shkruar tutje.
Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.