Prokuroria Speciale ka ftuar Dejan Raçiq të marrë pjesë në seancën fillestare të caktuar më 20 shkurt të vitit të ardhshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak se i njëjti dyshohet për krime lufte ndaj popullsisë civile në Kosovë.
Në njoftimin e Prokurorisë i bëhet thirrje Raçiqit që të dorëzohet dhe të paraqitet sa më pranë Gjykatën Themelore në Prishtinë, që kjo çështje, sipas tyre, të zhvillohet me prezencën e tij.
“Ftohet i akuzuari Dejan Raciq, nga i ati Janko, i lindur në fshatin Videj, komuna Klinë, me vendbanim të panjohur, me nacionalitet serb, ish-pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, të marrë pjesë në seancë fillestare të caktuar më datë 20.02.2024, e martë në ora 9:30, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, për çështje penale të proceduar sipas aktakuzës së prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.17.2018 të datës 27.11.2023, për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale Krime Lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.
Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Dejan Raçiq, të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar me datë dhe në kohë si më lartë.
Tutje, gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit Dejan Raçiqit, që t’ia komunikojë atë informacion Policisë së Kosovës, me qëllim të sigurimit të prezencës së akuzuarit Dejan Raciq, në këtë çështje juridiko-penale.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës thuhet se i pandehuri Dejan Raçiq, si pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare policore serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e Kosovës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera cnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Po ashtu, është ftuar edhe i akuzuari tjetër për krime lufte, Millan Jovanoviq, i lindur në Ferizaj, me vendbanim të panjohur dhe me nacionalitet serb.
Millan Jovanoviq, ish-polic në Stacionin policor në Ferizaj, siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, i akuzuari do të duhet të marrë pjesë në seancën fillestare të caktuar me datë 21 shkurt 2024 në ora 9:30, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Millan Jovanoviq akuzohet për veprën penale të bashkëkryerjes me persona të panjohur, të uniformuar dhe të armatosur, në lidhje me Krime Luftë kundër popullsisë civile, siç përcaktohet në nenin 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga nenit 143 paragrafi 1.6 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se “Millan Jovanoviq në kohën e luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të Serbisë, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë”.