Platforma “Liria ka emër”, ka organizuar ndezje të qirinjve në nderim të, Andrew Strong, avokat i Kadri Veselit.
Kjo do të bëhet gjatë mbrëmjes të së martë me fillim nga ora 18:00, te Teatri Kombëtar i Kosovës.
“’Liria ka Emër’, në nderim të mikut të Kosovës, avokatit të z. Kadri Veseli, Andrew Strong, i cili ndërroi jetë papritur dje, organizon ndezje të qirinjve.
Dita: E martë (12 dhjetor) Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës (Prishtinë) Koha: 18:00”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Gjykata Speciale ka vendosur që këtë vit të mos mbahet asnjë seancë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Seancat janë anuluar pas lajmit për vdekjen e avokatit Andrew Strong, i cili e kishte mbrojtur edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kërkesa për anulim të seancave u bë nga avokati Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.
“Mbrojtja e Kadri Veselit në fillim të seancës së sotme kërkoi shtyrjen e seancave këtë javë, për shkak të vdekjes së fundit të anëtarit të saj Andrew Strong. Paneli e pranoi kërkesën dhe anuloi pjesën tjetër të seancave të kësaj jave. Gjyqi do të rifillojë pas pushimit dimëror më 15 janar 2024”, thuhet në njoftimin e Speciales.