Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të hënën pritet që ta vizitojë Beogradin, ku edhe do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjë është bërë e ditur nga mediumi serb, N1, të enjten e 26 majit.
Sipas mediumit serb, temat që pritet të diskutohen në këtë takim janë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, procesi i integrimit, harmonizimi i Serbisë me masat kufizuese ndaj Rusisë, si dhe çështjet energjetike.
Ky do të jetë takimi i parë zyrtar mes Von Cramon-it dhe Vuçiqit.
Von Cramon, e cila është anëtare e të Gjelbërve Evropianë, shumë herë ka kritikuar situatën në Serbi, veçanërisht për fushën e demokracisë dhe të sundimit të ligjit.
Po ashtu, Vuçiq ka deklaruar disa ditë më herët para gazetarëve nga mediat serbe, se ai pret vizita të rëndësishme nga Evropa dhe Rusia në të ardhmen e afërt.