Pakënaqësitë rreth ndarjes së buxhetit për komunat sa i përket investimeve kapitale nuk kanë qenë të rralla.
Ngjashëm po ndodhë edhe për buxhetin e ardhshëm. Shumat e ndara për komunat po vlerësohen të pabarabarta, e njëheri edhe politike.
“Kemi një buxhet të ndarë mbi baza politike partiake, kemi një buxhet të ndarë jo me koncept zhvillimor. Kemi një koncept segregant, diferencues në raport me pushtetet që Lëvizja Vetëvendosje nuk udhëheq me to. Rast më të mirë i ka vërtetu edhe instituti GAP dhe institucionet e tjera kredibile që dëshmojnë se kemi një buxhet diskriminues në raport me komunat që udhëhiqen nga PDK”, ka thënë Ferat Shala.
E, se ndarja e buxhetit do duhej të ishte më e balancuar pajtohen edhe deputetë nga pushteti.
“Do duhej të kishte investime të mëdha edhe në komuna tjera sepse nevoja për investime është jashtëzakonisht e madhe kështu që do duhej të ishte më e balancuar kjo çështje por amendamentet kërkesat e komunave të cilat kanë ardh në komision, amendamentet janë trajtu ndërsa kërkesat e komunave kanë qenë më shumë trajtim i përgjithshëm edhe si shkak i mungesës së opozitës, marrjes pjesë në komision”, ka thënë Eman Rrahmani nga LVV.
Shqetësimet e kryetarëve kanë pasur një adresë e sipas tyre, pushteti nuk po tregohet objektiv.
“Hilja më e madhe po bëhet kur ministritë po marrin mjete financiare në nivel lokal duke i hartu kriteret ata vet. Dhe sipas kryetarëve këto kritere nuk po janë objektive. Dhe sipas kryetarëve të komunave, po flas sipas shumicës, mendohet se niveli qendror kur i shpërndan mjetet financiare në atë lokal në disa raste po përdor kritere politike e etnike”, ka thënë Sazan Ibrahimi, Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave.
Instituti GAP ka vërejtur padrejtësi në ndarjen e buxhetit për komunat. Sipas tij, 13 milionë euro janë ndarë për katër komunat e udhëhequra nga LVV-ja, Gjilanin, Kamenicën, Podujevën dhe Shtimen.
Të martën, Fushë-Kosova e ka cilësuar ndarjen buxhetore si diskriminuese, duke akuzuar Qeverinë se e ka lënë pa asnjë investim kapital vitin e ardhshëm.