Përafrimi i politikës së jashtme, në qendër të samitit BE – Ballkani Perëndimor

Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do t'u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione kundër Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese

Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, do t’u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione kundër Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli ka vendosur kundër Moskës, pas nisjes së luftës kundër Ukrainës.

“Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Derisa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, theksohet në draftin e deklaratës që do të miratohet në fund të samitit.

Liderët e vendeve anëtare të BE-së do të takohen me kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, më 13 dhjetor, në samitin e rregullt vjetor BE-Ballkani Perëndimor.

Deklarata miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe teksti i deklaratës është i harmonizuar bashkë me liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit.

Përafrimi me deklaratën nuk është i detyrueshëm për vendet e rajonit, por sigurisht që ka pritje ndaj tyre, sipas zyrtarëve të lartë të BE-së, që kanë punuar në organizim të takimit.

“Megjithatë, mospërputhja me deklaratën dërgon sinjal negativ për ne, sepse tregon orientimin gjeostrategjik të këtyre vendeve dhe nëse ato ndajnë vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së, i familjarizuar me këtë format samiti.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

BE-ja i bën thirrje rregullisht Beogradit zyrtar që të harmonizojë politikën e tij të jashtme me politikat e BE-së.

Këshilli Evropian ka thënë se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, si dhe nevojën për kryerje të reformave, të cilat bazohen në vlerat dhe parimet e BE-së.

Në mesin e temave në rend të ditës janë thellimi i angazhimit politik dhe politik në Ballkanin Perëndimor, afrimi i partnerëve nga rajoni dhe nxitja e integrimit gradual, ndërtimi i një baze ekonomike për të ardhmen si dhe zbutja e ndikimit të luftës së Moskës ndaj Ukrainës, e nisur në shkurt të vitit 2022.

Në deklaratën përfundimtare, një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, liderët do t’i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, si dhe të punojnë në ulje të tensioneve.

Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.

Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit.

Më saktësisht, takime të tilla organizohen prej vitit 2010, me iniciativën e Kroacisë, e cila asokohe kryesonte Bashkimin Evropian.

BE-ja, gjithashtu, fton rregullisht përfaqësues të këtyre vendeve në takime të ndryshme në nivel ministror./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika