Hovenier: I habitur me kritikat që po bëhen rreth draft-statutit për Asociacionin

“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se është i habitur me komentet dhe kritikat që janë duke u bërë për draft-statutin për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar prej zyrtarëve të lartë perëndimorë.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke e përmendur se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e draftit të propozuar.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë.

Hovenier u ka thënë medieve se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me Asociacionin.

“ShBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë ritheksuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hovenier, shkruan Rel.

Hovenier është pyetur edhe nëse mund të ndryshojë drafti i propozuar, ndonëse ai ka thënë se dokumenti në fjalë reflekton qëndrimin e Perëndimit.

“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosov;-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”, ka vijuar ai.

Draft-statuti për Asociacionin u është prezantuar Prishtinës dhe Beogradit në tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se për ta është i pranueshëm.

Ditëve të fundit, drafti u është dorëzuar edhe partive opozitare në Kosovë.

Në disa prononcime për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të tyre kanë shprehur shqetësimin dhe mospajtime me të.

Sipas tyre, draft-statuti, si i tillë, prek karakterin unitar të shtetit dhe krijon paralelizma në pushtete.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika