Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

Mbetjet e raketave ruse kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona

Shtëpi e shkatërruar në Kiev, pas sulmeve të 13 dhjetorit. Foto: Sergiy Karazy (Reuters)

Mbetjet e raketave ruse, të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit.

Sulmi ka ndodhur teksa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky, ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.

Kjo shifër përbën numrin më të madh të të plagosurve në Kiev, në muajt e fundit.

Sergiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, ka thënë se 51 persona janë plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë.

Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar.

Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika