Nga rasti tragjik i cili ka ndodhur të premten në orët e mëngjesit, dy persona (babë e bir) kanë mbetur të vrarë si pasojë e një konflikti familjar në veri të Mitovicës, ndërsa një person tjetër (vëllai) është arrestuar.
Lajmin për Telegrafin, e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti.
“Po sot ka ndodhur një vrasje në një familje në veri. Kanë mbetur të vdekur babë e bir, ndërsa vëllai është arrestuar sot nga policia. Ngjarja ka ndodhur sot diku në orët e hershme të mëngjesit”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se gjatë orëve të hershme të mëngjesit ka ndodhur një vrasje në një familje në veri të Mitrovicës, me ç’rast është arrestuar një person si i dyshuar për kryerjen e këtij krimi.
Ndërsa, sipas burimeve të KosovaPress-it, pas një mosmarrëveshjeje mes vete në një familje, djali ka sulmuar me thikë babain me ç’rast e ka plagosur rëndë, ndërsa vetë ka mbetur i vrarë nga vëllai i tij.
Sipas këtyre burimeve, në këtë incident është përfshirë edhe djali tjetër i kësaj familje, i cili dyshohet se duke i ndihmuar babait, ka vrarë vëllain e tij.
Burimet më tutje kanë shtuar se babai i plagosur fillimisht është dërguar në spital, derisa ishte në gjendje kritike për jetën, ku më pas ka ndërruar jetë.
Sipas burimeve të sigurta të KosovaPress-it, bëhet fjalë për vëllezërit binjakë U. B. dhe M. B, ndërsa babai i tyre që mbeti fillimisht i plagosur është avokati M.B.
I kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, e ka konfirmuar lajmin.
“Zyrtarisht nuk kam marrë akoma ndonjë raport. Ajo që di deri më tani, bëhet fjalë për dhunë në familje ku ka edhe të vrarë”, ka thënë shkurt Radoviq.