Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka diskutuar edhe për procesin e dialogut, që, sipas saj, sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojë destabilitet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Ajo ka bërë të ditur se tashmë Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft-statut për një Asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët.
“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t’i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, ka theksuar presidentja Osmani.
Sipas Osmanit, qëllimi i përbashkët duhet të jetë që të sigurohet përputhshmëri e plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet i ndërmjetëm i qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.
“Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, ka potencuar Osmani.