Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të premten e 15 dhjetorit ka vizituar komunën e Mitrovicës, nën shoqërinë e kryetarit, Bedri Hamza.
Këta të fundit kanë ndjekur nga afër punimet që po i realizon komuna e Mitrovicës në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kushtovë.
Po ashtu, Krasniqi ka shkruar që sipas raporteve zyrtare, komunat të cilat udhëhiqen nga PDK-ja, “janë kampione e qeverisës së mirë, transparencës buxhetore dhe në realizimin e projekteve transformuese për qytetarët”.
“Gjatë kësaj vizite, përcolla nga afër punimet që po i realizon komuna e Mitrovicës në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Shipol dhe në bulevardin “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja pranë lumit Ibër, që lidh shëtitoren e qytetit me shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit të Mitrovicës në parkun panoramik mbi qytet. Po ashtu, bashkë me kryetarin Hamza patëm një diskutim shumë frytdhënës me të rinjtë dhe studentët e Mitrovicës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Më tej, Krasniqi ka thënë se Qeveria aktuale deri më tani nuk e ka realizuar asnjë projekt kapital për Mitrovicën.
“Diskriminimi hakmarrës i Qeverisë ndaj komunave të cilat nuk i udhëheq partia e kryeministrit, është zhgënjyes”, ka përfunduar Krasniqi.