Shqipëria ia ktheu të premten 20 ikona fqinjit të vet, Maqedonisë së Veriut, të cilat ishin vjedhur para një dekade, njoftoi Ministria e Kulturës e Shqipërisë.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ia dorëzoi ikonat homologes së vet maqedonase, Bisera Kostandinovska Stojchevska.
“Ky akt shtron rrugën, jo vetëm për të kthyer të tjera objekte në vendet e origjinës nëse do të ketë pretendime dhe do të identifikohen si të tilla, por nga ana tjetër edhe të rikthimit në Shqipëri të objekteve të humbura, të grabitura në institucione të trashëgimisë kulturore, muze, parqe, apo objekte kulti”, tha Margariti.
Ato ishin pjesë e 476 ikonave të vjedhura që Policia e Shqipërisë i kishte sekuestruar në vitin 2013. Asokohe u themelua një grup punues për vlerësimin dhe kategorizimin e ikonave të kapura, për të kuptuar se nga vinin dhe kujt i përkisnin.
Pesë vjet më vonë, Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut tha se 20 nga ikonat e sekuestruara nga policia shqiptare i përkisnin asaj.
Një marrëveshje për kthimin e tyre u nënshkrua më 14 nëntor të vitit 2022, gjatë një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive në Shkup, ku u ekspozua në mënyrë simbolike ikona e “Shën Ilisë”.
Ministrja maqedonase Stojchevska e cilësoi dorëzimin e ikonave si “akt historik”, shkruan REL.
“Përmes kësaj ceremonie, ne njohim jo vetëm mesazhin politik të respektimit të detyrimeve të marra si shtet [nga Shqipëria], por për më tepër ne njohim mesazhin e marrëdhënies etike dhe morale, si dhe vlerësimin e pasurisë së mbrojtur kulturore maqedonase”, tha Stojchevska.
Sipas të dhënave nga të dy Ministritë, ikonat ishin pjesë e koleksionit të disa kishave në Maqedoninë e Veriut, në komunën e Resnjës, të Manastirit dhe të Strugës.