Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kanë shqetësime për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithatë theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Haradinaj ka thënë për KosovaPress, se nëse në të njëjtën kohë nuk vjen edhe anëtarësimi në NATO, Kosova mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë.
“Ne kemi disa shqetësime lidhur me statusin e Asociacionit ashtu siç është prezantuar asociacioni. Përpos preambulës që thirret me rezolutën 1244 dhe komisionit të arbitrazhit që del nga sistemi i drejtësisë, kemi edhe shqetësime tjera, të gjitha këto shqetësime do t’i adresojmë, shpresojë edhe në kuadër të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese për shkak se partitë politike kualifikohen si palë e kur dokumenti të jetë në shqyrtim në gjykatë, ne do të shkojmë t’i paraqesim këto shqetësime tona… Pas takimit me Lajçakun jam deklaruar se kemi shqetësime në dokument dhe do t’i shqyrtojmë këto shqetësime dhe besoj që dokumenti i tillë është shqetësues për Kosovën dhe nëse në të njëjtën kohë nuk vjen njohja veriore për anëtarësim në NATO, Kosova mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë”, u shpreh Haradianaj.
Kryetari i AAK-së ka theksuar se garancinë për draftstatutin duhet ta jap Gjykata Kushtetuese për shkak se ka ndërhyrje në rendin kushtetues.
“Po mendoj që garancinë duhet të jap Gjykata Kushtetuese, vetëm ajo duhet të sqarojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit, e ne kemi shqetësime se ka ndërhyrje në rendin kushtetues të Kosovës. Kosova duhet t’i kthehet vetes më shumë qeverisjes, zhvillimit ekonomik , është viti kur rrezikohemi me ik shumë të rinjtë dhe duhet t’i kthehemi partnerëve, aleatëve, sigurisë, Amerikës dhe BE-së”, tha Haradinaj./ KP