Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, ka thënë se Perëndimi s’do të tolerojë më aventura të reja të Beogradit.
Sipas saj, sulmi terrorist i 24 shtatorit, në Banjskë, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, nuk i është falur Serbisë nga Perëndimi, porse nuk ka pasur sanksione.
“Fakti që përforcimet e KFOR-it u dërguan menjëherë në Kosovë, tregon se Perëndimi është i gatshëm ta mbrojë Kosovën dhe të parandalojë çdo ‘ekskursion’ nga Serbia. Megjithatë, kosovarët frikësohen se mund të ketë më shumë surpriza nga Beogradi. Në rrethanat aktuale gjeostrategjike, siguria është bërë prioritet për Perëndimin dhe në këtë kuptim do të parandalohet çdo përpjekje e destabilizimit të Kosovës. Kjo është një vijë e kuqe, dhe çdo tentim i Beogradit për aventura të reja nuk do të tolerohet”, tha Biserko, në një intervistë për mediumin malazias “Aktuelno.me”.
Biserko ka theksuar se në Perëndim ka një perceptim se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të realizojë atë që ka premtuar, që është zbatimi i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ajo potencon se “inkursioni i njësive serbe në veri të Kosovës ishte një lloj alarmi se Beogradi nuk ka hequr dorë nga planet e tij për ndarjen e Kosovës”.
“Pasi deri tash s’ka pasur raport zyrtar për ngjarjen, përveç mohimit të Beogradit se ka qenë i përfshirë, reagimi i shpejtë i NATO-s, SHBA-së e BE-së, tregon se s’do të lejohet përshkallëzim dhe destabilizim i Ballkanit. Ai sulm dëmtoi besimin e Perëndimit te Vuçiçi, por mesa duket ende po llogaritet në të, por në rrethana të ndryshuara”, shtoi ajo.