Nga të dhënat e siguruara në terren, deri në orën 16:00 nëpër qendrat e votimit në Luginën e Preshevës, kanë votuar 5077 persona apo 11,71 për qind e tyre.
Kështu ka bërë të ditur për RTV Dukagjinin, Alban Mehmeti, kryesues i Komisionit Komunal në Luginën e Preshevës.
“Deri në orën 16:00 nga të dhënat që kemi marrë nga terreni nëpër qendra të votimit kanë votuar 5077 persona apo 11,71 për qind e tyre”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, Fejzi Beqiri, ka thënë se në këtë komunë deri në orën 16:00 dalja e votuesve është 27,46 për qind.
“Për komunën e Bujanocit, 42 mijë e 786 votues, 59 qendra të votimit, deri në orën 12:00, 8.67 për qind ishte numri i daljes sipas mostrave të marra nga katër vendvotime. Deri në orën 16:00 dalja është 27,46 për qind”, tha ai.
Ndryshe, Serbia sot po mban zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista.
Këto janë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme që nga ardhja në pushtet të Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.