Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha, bashkë me stafin e tij, kanë vizituar familjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili me 24 shtator 2023, ra heroikisht në kryerje të detyrës, në mbrojtje të vendit.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë kësaj vizite, Hoxha ka falenderuar familjen e heroit Bunjaku për sakrificën dhe kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës, me ç ‘rast i siguroi ata se Policia e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë tyre duke kujtuar heroizmin e Afrimit dhe duke ofruar përherë mbështetjen e nevojshme për familjen e tij.
Familjes Bunjaku nga drejtori Hoxha iu dorëzua edhe një pllakatë me emrin e heroit Rreshter Afrim Bunjaku, e cila ishte dhuruar nga Shoqata shqiptaro-amerikane (AALEA US ) e dedikuar për Heroin e Kosovës.
Policia e Kosovës do ta kujtoj përherë heroin Afrim Bunjaku dhe të gjithë heronjtë e tjerë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për qytetarët dhe vendin.
Ndërsa gjatë vizitës në pikë kalimin kufitar Jarinjë, takoi nga afër zyrtarët policor të cilët i falënderoi për punën dhe angazhimin e tyre të pakursyer dhe njëkohësisht kërkoi nga të vazhdojnë me përkushtim realizimin e detyrave policore në interes të sigurisë, parandalimit të krimit e kontrabandës dhe menaxhimit sa më efikas të kufirit shtetëror.