Emisari special evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka folur mbi zhvillimet e fundit mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai në një postim në Facebook ka përmbledhur takimet që kishte me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për bisedime, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Ne ramë dakord për hapat e ardhshëm në proces. Ndërsa diskutimet me të dy negociatorët ishin produktive, konsultimet e mëtejshme në periudhën e ardhshme do të jenë të nevojshme”, ka shkruar diplomati sllovak.
“Me Krishtlindjet afër, javët e fundit të vitit në Bruksel janë veçanërisht të ngarkuara. Të hënën mirëprita në Bruksel kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq. Diskutimet tona mbuluan një sërë temash, duke përfshirë draft-statutin e BE-së për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, hapat e nevojshëm për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe obligime të tjera të mbetura në pritje. Të mërkurën, u angazhova në një video-konferencë të detajuar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, duke diskutuar një listë gjithëpërfshirëse të çështjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e ardhshëm në proces. Ndërsa diskutimet me të dy negociatorët ishin produktive, konsultimet e mëtejshme në periudhën e ardhshme do të jenë të nevojshme”, ka thënë ai.