Trajneri turk, Shenoll Gunesh, është një prej kandidatëve për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Kështu kanë raportuar të dielën mediumet në Turqi.
“Aspor” shkruan se Gunesh ka marrë ofertë nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Sipas sajtit turk, krahas Guneshit në listë FFK-ja e ka edhe Roberto Carlosin.
“Shenoll Guneshit i ka ardhur një ofertë nga Përfaqësuesja e Kosovës. Thuhet se së bashku me Shenoll Guneshin në listën e Kosovës është edhe Roberto Carlosi, i cili ka luajtur për Fenerbahçen në Turqi dhe për një kohë ka punuar si trajner i Sivassporit dhe Akhisar Belediyespor”, shkruan ndër të tjera sajti turk.
Gunesh 71-vjeçar së fundi ishte pjesë e Beshiktashit. Më herët, Gunesh ka drejtuar edhe Turqinë, Bursasporin, Trabzonsorin, Seoulin, Sakaryasporin, Antalyasporin dhe Bolusporin.Ai është legjendë e Trabzonsporit.
Posti i selektorit të Kosovës ka mbetur vakant.
FFK-ja nuk ia vazhdoi kontratën trajnerit slloven Primozh Gliha, i cili e zëvendësoi trajnerin francez, Alain Giresse.
Më herët Kosovën në gara kualifikuese e kanë drejtuar edhe zvicerani Bernard Challandes dhe Albert Bunjaki.