Një këmbimore e kriptovalutave në lagjen “Tophane” të Prishtinës është bërë objekt i një grabitjeje këtë të hënë rreth orës 10:00.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, persona të armatosur dyshohet se kanë kryer grabitjen duke kërcënuar me armë dhe duke marrë një shumë rreth 50,000 euro.
Pas raportimit të ngjarjes, policia ka reaguar menjëherë, duke dalë në vendngjarje dhe filluar hetimet.
“Sot rreth orës 10:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se nën kërcënim të armës është grabitur një shumë parash”, ka thënë ajo për Dukagjinin.
“Policia në koordinim me prokurorinë po ndërmerr veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit”, ka bërë të ditur tutje ajo.