Serwer: Rezultati i zgjedhjeve në Serbi s’është shenjë e mirë për Kosovën

Daniel Serwer, njohës i zhvillimeve në Ballkan, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për krijimin e një sistemi të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë. Ai, gjithashtu, shpreh shqetësimin e tij për marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se Vuçiq ka sfiduar BE-në në shumë aspekte, përfshirë kundërshtimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe marrëveshjet me Kosovën. Ai ka thënë se nuk ka alternativë të menjëhershme për Vuçiqin, por thotë se SHBA-ja do të përfitonte nga një qëndrim më i ashpër ndaj Serbisë

Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, kështu ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan, Johns Hopkins.

Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiq, ka fituar shumicën.

Lista opozitare “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar, ndërkohë, anulimin e zgjedhjeve në Beograd, duke pretenduar se ka pasur parregullsi.

Duke komentuar fitoren e Vuçiqit në raport me Kosovën, Serwer ka thënë se rezultati “nuk është një shenjë e mirë” për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, ka thënë Serwer në një intervistë për REL-in.

Po ashtu, ai ka thënë se në muajt e fundit, Vuçiq ka qenë jashtëzakonisht i mbështetur te Moska dhe Pekini.

“Miqtë e tij më të mirë këto ditë janë autokratë. Edhe ai dëshiron të jetë i tillë. Ai është autokrat, i votuar në zgjedhje, pa konkurrencë serioze në horizont”, ka deklaruar ai.

“Serbia nuk është afër BE-së”

Sipas tij, Vuçiq është për kohë të gjatë në pushtet dhe nuk e ka afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.

“Në fakt, ai e ka sfiduar Bashkimin Evropian – jo vetëm duke i kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë, por edhe për shumë çështje të tjera, përfshirë marrëveshjet e arritura së voni me Kosovën, të cilat kryeministrja Ana Bërnabiq mohon se Serbia po i respekton. Pra, ju mund të thoni se jeni për BE-në, por duhet edhe të silleni në atë mënyrë, dhe Vuçiq nuk po e bën këtë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se nuk pret që BE-ja të arrijë një konsensus për ndonjë gjë që mund të jetë presion ndaj Serbisë.

“Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të jenë ndryshe. Nëse u kthehemi ngjarjeve të 24 shtatorit – rebelimit në veri të Kosovës që me sa duket është orkestruar nga Beogradi – do të prisja që Shtetet e Bashkuara të reagonin për këtë”, është shprehur ai.

“Nuk ka alternativë të menjëhershme për Vuçiqin, por mendoj se SHBA-ja do të përfitonte shumë më tepër nga Serbia nëse do të mbante një qëndrim më të ashpër, e jo të vazhdojë ta përkëdhelë”, ka thënë tutje ai.

Ndër të tjera, Serwer ka thënë se Vuçiq bën shumë deklarata që janë proevropiane dhe më pas nuk bën asgjë për këtë çështje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika