Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se prona e ish-hotelit “Vicianum,” në Vushtrri do të mbetet vetëm pronë publike.
Në vitin 2021, njëanshëm patëm anuluar kontratën kriminale përmes së cilës ish-drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë, pronën publike të Ministrisë së Drejtësisë ia patën dhënë në shfrytëzim personit juridiko-privat, pa asnjë bazë ligjore e kushtetuese, prej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë.
Rasti ishte dërguar fillimisht në Themelore, që i dha të drejtë MD-së, ndërsa të drejtë i dha edhe Gjykata e Apelit, ka thënë Sallahu.
“Jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se ky vendim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. E njëjta përmes një aktvendimi të datës 27.10.2023, ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditësit ‘Erisi’ Sh.P.K. me seli në Mitrovicë. Përmes këtij aktvendimi gjykata ka vërtetuar edhe një herë si të ligjshëm dhe të drejtë, vendimin e datës 23.09.2021. Në lidhje me këtë, si Ministri e Drejtësisë patëm dorëzuar edhe kallëzim penal kundër ish-ministrit të drejtësisë dhe ish-drejtorit të Shërbimit Korrektues. Natyrisht, Prokuroria Speciale ka vendosur ta hedhë poshtë kallëzimin penal, edhe pse përveç posedimit të paligjshëm, aty është rrënuar edhe prona publike në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, mirëpo lufta dhe ballafaqimi ynë në mbrojtje të publikës asnjëherë nuk do të ndalet”, ka shkruar Sallahu në Facebook.