Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, të premten, ka nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të Partneritetit Financiar IPA III (FFPA) të miratuar nga Komisioni Evropian, të cilën ia ka dorëzuar ambasadori i Bashkimit Evropian(BE) në Kosovë, Tomas Szunyog.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pasi që marrëveshja të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, do t’i mundësojë Kosovës që të marrë ndihmë të mëtejshme teknike dhe financiare nga BE-ja.
Kjo marrëveshje, mbulon programet vjetore të IPA-s për periudhën 2021-2027 dhe do të mundësojë miratimin e menjëhershëm të fondeve të IPA 2021 për Kosovën në vlerë prej 64 milionë euro.
“Ne do të përdorim financimin e IPA III për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore, qeverisjen komunale dhe sigurinë publike në Kosovë. Financimi gjithashtu do të drejtohet në ngritjen e kapaciteteve të administratës së Kosovës për të përmbushur standardet e BE-së”, ka thënë Szunyog.
Ai ndër të tjera ka shtuar se ky financim do të përdoret edhe për t’iu përgjigjur shpejt nevojave urgjente ekonomike, shëndetësore apo sociale dhe për të mbrojtur mjedisin në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.
Po ashtu ndër të tjera kjo marrëveshje ndihmon për të rritur konkurrencën e sektorit agro-ushqimor të Kosovës dhe të ndihmojë në arritjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE.
Kosova, ka filluar të përfitojë nga financimi IPA qysh në vitin 2007.
Që atëherë, dhe deri në fund të vitit 2022, gjithsej 1.21 miliardë euro i janë ndarë Kosovës përmes IPA I dhe IPA II.
Bislimi, ka thënë se fondet e para-anëtarësimit në BE ofrojnë shtysë për progresin e Kosovës në reformat e lidhura me BE-në.
Ndërsa, më tutje në njoftim thuhet se BE-ja, mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.