Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, ka dorëzuar padi kundër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Ajo para medieve tha se padia ka të bëjë më shpifjet dhe denigrimin që këta të fundit i kanë bërë lidhur me projektin e “Rrugës A”.
“Dorëzova padi kundër kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kundër kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhikut, dhe kundër nënkryetares së LDK-së, deputetes Doarsa Kica-Xhelili, në lidhje me rastin e ‘Rrugës A’. Ata shpifin dhe fyejnë dhe denigrojnë autoritetin tim duke më akuzuar pa fakte”, ka thënë Pacolli.
Ajo shtoi se Abdixhiku, Rama e Kica-Xhelili kanë shpifur dhe kanë denigruar autoritetin e saj.
“Me statuset e tyre publike kanë nxitur opinioni publik, kundër meje, kanë nxitur qytetarët e Prishtinës të reagojnë kundër meje pa pasur asnjë fakt dhe në mënyrë shumë të padrejtë. Unë pres që Gjykata ta shqyrtojmë me kujdes lëndën time”.
E pyetur për ndërlidhjen me motrën e saj në këtë çështje, gjyqtaren Vlora Pacolli, ajo tha se të dyja vetëm po e bëjnë punën e tyre profesionale, mirëpo kjo afërsi e tyre është shfrytëzuar për qëllime politike, raporton EO.
“Motra ime ka punën e vet, unë kam punën time, të dyja e bëjmë punën tonë profesionale. Ata e kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe më kanë akuzuar padrejtësisht veç pse jam motra e gjyqtares Vlora Pacolli. Ajo e ka pasur rastin e ‘Rrugës A’, ju e dini që rastet ndahen me rend. Ne presim që Gjykata të marrë vendim”, ka theksuar ajo.