Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për akuzat ndaj opozitës për dërgimin e ligjeve në Gjykatë Kushtetuese.
“Vetëvendosja, pasi ka dështuar në qeverisje në këto tri vjet, paska filluar të mbajë ligjërata koti se si bëhet opozita. Atyre që kanë bërë opozitë me tym e flakë, me gurë e gaz, nuk po ju pëlqyeka opozita jonë me rrugë institucionale, opozita jonë duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e tyre të mbrapshta. Ata frikësohen nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria prandaj janë në panik”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se Vetëvendosja duhet ta braktisë vetë rrugën e qeverisjes korruptive dhe të dëmshme, pasojat e së cilës, siç thotë ai, po vërehen me inflacionin dhe varfërimin e qytetarëve.
“Në vend që t’i mbajnë ligjërata opozitës, Vetëvendosja duhet ta braktis vetë rrugën e qeverisjes korruptive dhe të dëmshme, pasojat e të cilës sot po i vërejmë me inflacionin dhe varfërimin e qytetarëve dhe nesër do t’i vërejmë edhe më qartë me ikjen masive të qytetarëve nga keqqeverisja e tyre”, ka vijuar ai tutje.
Ky reagim i Tahirit vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën se është “pa alternativë” dhe vazhdon ta shfrytëzojë Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur “shtetin e kapur” dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit.