Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do ta ketë votën e partisë së Kamberit për njohje të Kosovës.
Kështu tha ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, teksa është pyetur nga profesori Nexhmedin Spahiu se si mund t’i bëjë presidenti Vuçiq 2/3 të votave në rast se i duhen për çështjen e Kosovës.
“Ajo që kalkulon si mundësi në qarqe të ndryshme në Serbi që koalicionit t’i bashkohet Dragan Gjillas, flitet që mund të jetë pjesë e një koalicioni që mund të tregojë një orientim më ndryshe të Vuçiqin në raport me të tashmen. Këto janë supozime tash për tash. 18 i ka të SPS të Daçiqit, ka 6 hungarezë, 2 të Zuko…, për njohje të Kosovës ka edhe votën tonë”, tha Kamberi.
“Ka 13 deputetë që janë të doktor Nesteroviqit që besoj se janë produkt i Vuçiqin për arsye se derisa në mandatin e shkuar ishin 2 grupacione marioneta të Vuçiqit… kur mori vendim Vuçiqi, ata u shuan”, shtoi më tej Kamberi.
Kamberi ka thënë se partia e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka filluar të ketë rënie dhe këtë e ka vërejtur edhe vetë Vuçiq.
Deputeti Kamberi ka thënë se presidenti serb i sheh zgjedhjet si një mundësi që t’i prolongojë obligimet që ka.