Në fshatin Llapashticë të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku mes dy veturave, nga i cili ka vdekur një person dhe është lënduar një tjetër.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar Arben Beqiri, shefi i Emergjencës në Podujevë.
“Po, janë një i vdekur dhe një i lënduar rëndë”, ka thënë Beqiri.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci ka thënë se ky aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Llapashticë të Podujevës.
Ai ka bërë të ditur se personi i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti.
“Rreth orës 20:00 është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën ‘Qëndresa’ në fshatin Llapashticë të komunës së Podujevës. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura. Një person ka humbur jetën, ndërkaq një tjetër është dërguar në QKUK, ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor, si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, ka thënë Borovci.