“Propagandë”.
Kështu i ka quajtur deputeti i VV-së, Armend Muja, kritikat që po i bëhen Qeverisë së Kosovës se i ka favorizuar komunat e veta.
Sipas Institutit GAP, Qeveria edhe për vitin 2024 ka ndarë më shumë mjete (për investime kapitale të reja) për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosja.
Gjersa ka treguar vetëm për komunën e Gjilanit dhe të Shtimes (ndërsa për komunën e Podujevës dhe të Kamenicës jo) se pse janë ndarë më shumë mjete, Muja ka thënë se po tentohet të ndërtohet një argument i pavërtetë.
“I gjithë argumenti është propagandë. Propaganda mbështet në një argument se nga një buxhet rreth 3 miliardë të thuhet 13 milionë janë shpenzuar këtu ose aty. 13 milionë paraqet 0.4 për qind të buxhetit. Duke e neglizhuar 99.4 për qind të tërësisë, po është tentu me u ndërtu një argument i pavërtetë. Edhe sikur të ishte i vërtetë, ajo riorientim e projekteve, ta zëmë pse është fokusu të Shtimja dhe te Gjilani është një investim kapital, ka të bëjë me shtëpinë e shëndetit mendor në Shtime, e cila si institucion nuk i shërben komunës po i shërben të gjithë ato rasteve që janë anembanë Kosovës. Në rastin e Gjilanit, i referohet zgjerimit të autostradës prej Bresalcit deri të Dheu i Bardhë, që është ka nacional dhe s’ka të bëjë me një komunë specifike”, ka thënë Muja në “Debat Plus”.
Sipas analizës së GAP-it për ndarjet buxhetore, konsiderohet se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga VV-ja. Mbi 13 milionë janë ndarë për katër komunat që i udhëheq partia në pushtet – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.