Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Artanën e lashtë, ku sipas tij, aty ndërthuren shtresat shumëshekullore e kulturore me historinë e shfrytëzimit të pasurive minerare të kësaj zone.
Së bashku me myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe ministrin Hajrulla Çeku, Kurti vizioti Xhaminë e Osman Efendisë dhe Tyrben e Mehmetit të Vjetër.
Ai thotë se “përmes programit të restaurimit, çdo ditë po i mbrojmë vlerat e trashëgimisë fetare dhe po i vëmë në shërbim të komunitetit, të secilit komunitet”.
“Të dy monumente u restauruan si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, partnerëve ndërkombëtarë, BE, UNDP dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës”, u shpreh Kurti.
“Xhamia e Osman Efendisë, e vetmja e mbetur nga pesë xhamitë e ndërtuara në qytetin minerar të Artanës dhe Tyrbja gjenden rrëzë Kalasë, dhe plotësojnë mozaikun e pasur kulturor të kësaj zone”, tha Kurti.