Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, ka treguar ndryshimet që do të ndodhin me aprovimin e rregullores për parkingjet në Prishtinë.
Në fakt, kjo rregullore u aprovua gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Komunës së Prishtinës.
Sipas prezantimit, kjo rregullore parasheh që për makinën e parë për rezidentët nuk do të ketë tarifë mujore.
Një tjetër ndryshim është se Prishtina Parking më nuk do të vërë gjoba.
Siç njoftoi Dushi, tash e tutje “Prishtina Parking”, në vend të gjobës, do t’i detyrojë klientët të paguajnë biletat ditore, pra 24-orëshe.
“Gjoba dhe masat e tjera ndëshkuese tanimë janë zëvendësuar me detyrim për të paguar biletë 24-orëshe, e cila parkuesve të parregullt dhe atyre që nuk paguajnë u mundësojnë të parkojnë në mënyrë të rregullt brenda 24-orëve në vijim në të gjitha zonat në kryeqytet”, ka theksuar Dushi.