Me dekret të Presidentes Osmani, gjeneralmajorja, Irfete Spahiu u emërua Inspektore Gjenerale e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar emërimin e gjeneralmajores dhe ka lëvduar punën e saj duke thënë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri është një drejtim që kërkon guxim dhe vendosmëri.
‘’Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten. Është edhe trasim i rrugës për çdo vajzë që ndjekë këtë drejtim në jetë me guxim dhe vendosmëri.
Përderisa festojmë arritjet e gjeneralmajores Irfete Spahiu, kujtojmë të gjitha ato gra të guximshme, që na mësuan sakrificën e dashurinë për vendin e popullin. Në të gjitha periudhat historike, në kohë lufte e paqeje, gratë i kanë shërbyer popullit e vendit tonë me trimëri e dashuri të pakusht. Në shumë raste kontributi i tyre është harruar, injoruar ose zvogëluar në histori’’, shkruhet në postimin e kryeministrit.
Ai ka shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është mishërim i së kaluarës së dhimbshme e të lavdishme, dhe i së tashmes sfiduese dhe se do të vazhdojnë të bëjnë pjesën e tyre për të ardhmen, që përfshirja e grave dhe vajzave në ushtri të jetë në frymën e barazisë dhe kapaciteteve që kanë ato.
Ai perfundon postimin duke i dëshiruar Gjeneralmajores, Irfete Spahiu punë të mbarë e suksese në detyrën e saj në shërbim të vendit dhe paqes.
Gjeneralmajorja Spahiu u emërua Inspektore gjenerale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pozitë që më herët e mbajti gjenerallejtënant Bashkim Jashari, tash Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.