Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, këtë të premte është takuar me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sarec.
Në këtë takim është diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, ku me këtë rast, ministri Maqedonci ka theksuar se sulmi terrorist i 24 shtatorit është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj ai u shpreh se duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim, që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht, të Ballkanit Perëndimor.
“Krahas situatës së sigurisë, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij slloven me të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene, përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund të zhvillohen përtej planit bilateral”, thuhet në njoftim.
Më tej, ministri Maqedonci ka shprehur qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO.
Me këtë rast, ai ka kërkuar nga homologu i tij mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euroatlantike.
Nga ana e tij, ministri Sarec ka garantuar mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven për Kosovën dhe, gjithashtu, shprehu vullnetin e tij që bashkëpunimin e deritashëm që kanë dy vendet ta thellojnë edhe më tutje.