Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se që nga viti 2021 në veri institucionet dhe zyrtarët policorë janë sulmuar 114 herë nga Serbia.
Ministri Sveçla ka thënë se angazhimet hetimore të policisë në zbardhjen e hetimeve tregojnë se të njëjta struktura militare me shtytjen e Serbisë janë angazhuar për de-stabilizimin e vendit.
“Si institucione kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë planet e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitar terrorist dhe kemi ndarë informacione edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga viti 2021 deri më sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë. Angazhimet hetimore të policisë në zbardhjen e hetimeve tregojnë se të njëjta struktura militare me shtytjen e Serbisë janë angazhuar për de-stabilizimin e vendit tonë – janë strukturat e njëjta terroriste që janë përfshirë në barrikada ku shumë prej kamionëve të barrikaduar kanë pasur eksplozivë dhe mjete tjera shpërthyese në sulmin ndaj KKZ-së dhe në sulmet ndaj pjesëtarëve tonë, në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në sulmin ndaj mediave, në djegien e veturave dhe në sulmin terrorist në Banjskë”, ka thënë Sveçla.
Ai ka dhënë detaje lidhur me sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
“Deri më tash janë tri konstatime të pakontestueshme të këtij sulmi të cilat çdo herë e më shumë janë përforcuar gjatë zhvillimit të hetimeve, e para qëllimi i Serbisë dhe sulmi i grupi terrorist ishte që të aneksohet veriu i vendit tonë po ashtu grupi terrorist është mbështetur e përkrahur, urdhëruar dhe ka lidhje direkte me strukturat shtetërore të Serbisë. Grupi terrorist është ushtruar dhe përgatitur për sulm në poligone të rregullta dhe të kontrolluara nga ushtria e Serbisë si dhe është furnizuar me armatim ushtarak nga depot e saj”, ka vijuar Sveçla.
Ai përmes fotografive ka treguar edhe për rrugën që është përdorur nga grupi terrorist, vendin ku është plagosur polici Afrim Bunjaku, i cili më pas ka ndërruar jetë.
Ai po ashtu ka shtuar se grupi terrorist me anë të një droni kishin monitoruar Policinë e Kosovës.
Sveçla ka treguar edhe emrat e pjesëtarëve që morën pjesë në sulmin në Banjskë.