Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshohet se arsenal armatimi po fshihet në Banjë të Novi Pazarit.
“Një arsenal armësh po duket që po fshihet në një hotel në Novi Pazar, rreth 25 kiliometra distancë nga pika kufitare në Jarinjë. Aty ka të fshehur armatim të ngjashëm që është përdorur në sulmin terrorist në Banjskë. Është në pronësi të grupit terrorist që ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë ka urdhëruar strukturat ilegale serbe që të bëjnë punësimin e bashkëshorteve të grupit terrorist familjet e të cilëve jetojnë në Kosovë që të mos bëjnë zë kritik për atë që ndodhi.
Kurti: Në nëntor ishte planifikuar sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut
Kurti ka theksuar se në nëntor ishte planifikuar një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi.
“Gjatë nëntorit 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Plani paraprak për sulme hakmarrëse nga Policia e Kosovës kemi marrë vesh se ka ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të PK-së e KFOR-it rreth kufirit me Serbinë”.
Sulm, sipas Kurtit, u planifikua edhe këtë javë, pas zgjedhjeve në Serbi.
“Në poligonin e Serbisë në Peshter, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarësh të “Mbrojtjes Civile” që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Ky grup kishte planifikuar sulm ndaj Policisë sonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim raportohet të ketë pasur lëvizje nga ushtria e Serbisë që ka stacionuar ushtarët në disa pika, në lokacione ku parashiheshin këto sulme. Pjesëtarët e ikur nga veriu janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç”.