Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka quajtur gënjeshtra absolute pretendimet e kryeministrit Albin Kurti, se Serbia po përgatit sulm në Kosovë.
Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, të thirrur pas asaj të Kurtit, Petkoviq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës se nuk e synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, porse krijimin e krizës.
Ai ka thënë se ishte “një gënjeshtër absolute” se Serbia po përgatit sulm ndaj Kosovës, derisa për Kurtin ka thënë se po i përdor temën e Banjskës dhe veriun e Kosovës, në atë që, sipas tij, tregon qartë se kryeministri i Kosovës nuk dëshiron që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Petkoviq tentoi ta mbrojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ushtrinë serbe nga përgjegjësia e sulmit terrorist në Banjskë.
“Prandaj ai e përdor temën e Banjskës, sulmin ndaj presidentit Vuçiq, për të shmangur hapat konkretë që çojnë në formimin e Asociacionit”, tha Petkoviq.
Ndyrshe, Kurti sot ka thënë se grupi i Milan Radoiçiq është duke u riorganizuar për sulme të radhës në Kosovë.
Ky organizim, Kurti tha se po ndodh në ambientet e një firme në Rashkë, ku Radojiçiq mban edhe takime me zyrtarë të BIA-s serbe.
Kosova ka akuzuar Serbinë se është e përfshirë direkt në sulmin terrorist të Banjskës dhe ka publikuar edhe dëshmitë që prapa organizimit të sulmit që la të vrarë policin Afrim Bunjaku qëndron shteti serb.