Projektkodi Civil “mbetet në sirtar”

Projektkodi Civil nuk gjeti miratim as këtë vit në Kuvendin e Kosovës. Madje, i njëjti është ndër projektligjet e shtyra për vitin 2024. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nuk dha ndonjë arsyetim të qartë se cilat janë shkaqet e shtyrjes së miratimit të Kodit Civil, ai tha se për shkak të planifikimit më të mirë duhet shqyrtuar dhe miratuar vitin e ardhshëm

Në ndryshimin e programit legjislativ për vitin 2023, Qeveria e Kosovës barti për vitin tjetër 21 projektligje të planifikuara për këtë vit. Në mesin e tyre është edhe ai i Kodit Civil të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nuk dha ndonjë arsyetim të qartë se cilat janë shkaqet e shtyrjes së miratimit të Kodit Civil, ai tha se për shkak të planifikimit më të mirë, duhet shqyrtuar dhe miratuar vitin e ardhshëm 21 projektligjet e shtyra.

“Ky vit ashtu si edhe ai paraprak ka shënuar miratimin e një numri rekord projektligjesh, pasi që pothuajse çdo fushë e menaxhuar nga autoriteti qendror ishte në nevojë të inicimit të reformës, që do të siguronte zhvillim dhe mbarësi, si për qytetarin e republikës, ashtu edhe për institucionet shtetërore”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kodi Civil, për herë të parë ishte proceduar për miratim në vitin 2022, por që ai nuk ishte miratuar nga ana e Kuvendit të Kosovës më 16 mars 2022.

Përkundër sigurimit të kuorumit për këtë projektligj, ai kishte marrë vetëm 28 vota për, ndërsa 29 kundër dhe 4 abstenime.

Në seancë ishin të pranishëm edhe 16 deputetë, por ata nuk morën pjesë fare në votim. Në procesin e votimit nuk kishin marrë pjesë deputetët e opozitës.

Projektligji ishte kundërshtuar kryesisht nga disa deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Pasi nuk kishte kaluar projektligji, shtatë muaj më pas, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se shumë shpejt do të riprocedohet për votim në Kuvend, ProjektKodi Civil. Sipas saj, kësaj radhe ky kod do të kalojë.

Kush do të përfitonte nga Projektkodi Civil?

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023, ku Kodi Civil përmendet disa herë. Përveç rëndësisë së këtij dokumenti për personat e komunitetit LGBTI (lesbikë, gej, biseksualë, transgjinorë dhe ndërgjinorë), Kodi Civil vlerësohet i rëndësishëm edhe për çështje të tjera.

“Asnjë hap nuk është marrë për ta miratuar Kodin Civil, që do ta mundësonte përkrahjen për personat në përkujdes deri në moshën 26-vjeçare, në vend të 18-vjeçare”, thuhet në Raport të Progresit.

Në raport theksohet se Kodi Civil do ta përforconte “mbrojtjen e të drejtave fundamentale dhe civile të grave” dhe do ta përmirësonte trajtimin e fëmijëve “në situatë veçanërisht të cenueshme”.

Në dokument shprehen edhe kritika për deputetët e partive që përbëjnë koalicionin qeveritar.

“Mungesa e kuorumit vendimmarrës, pavarësisht se Qeveria e ka shumicën në Kuvend, çoi në një numër të madh pikash në rendin e ditës dhe seancat parlamentare zvarriten me muaj të tërë, duke shkaktuar vonesa në miratimin e reformave të lidhura me BE-në dhe në bërjen e emërimeve”, thuhet në Raportin e Progresit.

Çfarë thotë Projektkodi Civil për martesat e hershme?

Ligji aktual në Kosovë mundëson martesën në mes të personave qysh në moshën 16 -vjeçare, me pajtim të prindërve. Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2022 martesat e hershme dhe me detyrim theksohen si problem veçanërisht në mesin e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, boshnjak dhe goran.

Neni 1140 i Projektkodit Civil synon ta rregullojë këtë problem duke përcaktuar moshën 18-vjeçare si minimalen për lidhje të martesës.

“Personi i cili nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare nuk mund të lidhë martesë. Për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës së tij, gjykata kompetente mund t’i lejojë martesën personit të mitur më të vjetër se gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, nëse konstaton se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore”, thuhet në Projektkodin Civil.

Në Projektkodin Civil bëhet e qartë se lidhja e martesës fillon me raportin e paraqitur nga ofiqari, duke treguar praninë e bashkëshortëve të ardhshëm dhe mosekzistimin e pengesave dhe të ndalesave martesore të parapara me këtë libër.

Çfarë thotë Projektkodi Civil për ndarjet?

Ligjet e Kosovës përcaktojnë që “institucioni i martesës duhet të ruhet”, që do të thotë se bashkëshortët inkurajohen të kalojnë nëpër procedura të pajtimit para se të bëhet shkurorëzimi.

Në raportin e organizatës ndërkombëtare Amnesty International, të publikuar më 30 gusht, citohen viktima të dhunës në familje, që kanë raportuar se punëtorët socialë u kanë bërë presion të kthehen tek abuzuesit e tyre.

Projektkodi Civil përcakton, përmes nenit 1186, që “në rastin e dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës në baza gjinore, nuk do të zhvillohet procedura e pajtimit për ruajtjen e martesës”.

Çfarë thotë Projektkodi Civil për martesat ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë?

Kundërshtimet më të zëshme ndaj Projektkodit Civil kishin të bënin me nenin 1138. Ky nen parasheh hartimin e një ligji, që do t’i lejonte “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”.

Megjithatë, ai përcakton që martesa është “bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme”, që do të thotë se nuk mundëson martesën midis personave të gjinisë së njëjtë.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka bërë ndryshime në këtë nen, mirëpo nuk ka dhënë detaje se çfarë ndryshimesh janë bërë. Kristian Rrasaj, këshilltar ligjor në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL), shprehet i zhgënjyer që në Projektkodin Civil nuk ishte paraparë të lejohet martesa në mes të personave të gjinisë së njëjtë.

Kushtetuta e Kosovës thotë se “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Edhe Avokati i Popullit kishte bërë thirrje vitin e kaluar që marrëdhëniet familjare të personave me sekse të njëjta të njihen dhe të definohen me Kodin Civil, pa asnjë dallim dhe në të njëjtën mënyrë sikurse personat me sekse të kundërta – që do të thotë të përfshiheshin në pikën për martesë.

Ndërkaq, sipas Fondacionit për të Drejtat e Njeriut, aktualisht janë 31 vende ku martesat e gjinisë së njëjtë janë të ligjshme: Argjentina, Australia, Austria, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Danimarka, Ekuador, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Tajvani, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Uruguai.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika