Rritet numri i ushtarëve izraelitë të vrarë gjatë ofensivës në Gazë

Katërmbëdhjetë ushtarë izraelitë janë vrarë në luftimet në Rripin e Gazës gjatë fundjavës, tha ushtria izraelite të dielën

Katërmbëdhjetë ushtarë izraelitë janë vrarë në luftimet në Rripin e Gazës gjatë fundjavës, tha ushtria izraelite të dielën. Ditët e fundit kanë qenë disa prej ditëve kur janë zhvilluar betejat më të përgjakshme që kur Izraeli nisi ofensivën ushtarake, dhe janë sinjal se Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Britania – ende po reziston pavarësisht javësh të luftimeve brutale.

Rritja e numrit të ushtarëve të vrarë izraelitë ka të ngjarë që do të jetë një faktor i rëndësishëm i mbështetjes së publikut izraelit për luftën, që u nxit pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë. Lufta ka shkatërruar pjesë të Rripit të Gazës dhe ka vrarë pothuajse 20.400 palestinezë. Si pasojë e luftës, 85 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, 166 persona janë vrarë në enklavë gjatë ditës së kaluar.

Izraeli vazhdon të insistojë në qëllimet e tij për të shkatërruar aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe lirimin e 129 pengjeve të mbetura. Mbështetja e publikut për këto qëllime ka qenë kryesisht e qëndrueshme, pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar ndaj ofensivës së Izraelit dhe numrit të paprecedent të viktimave në mesin e palestinezëve.

Por, rritja e numrit të ushtarëve të vrarë mund ta minojë këtë mbështetje. Kjo çështje është e ndjeshme në Izrael, ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e hebrenjve.

Të 14-të ushtarët izraelitë u vranë të premten dhe të shtunën gjatë betejave në Gazën qendrore dhe jugore, një indikacion se si Hamasi ende po reziston kundër forcave avancuese izraelite, edhe pse Izraeli pretendon se i ka dhënë një goditje të madhe grupit radikal.

Sipas një radioje të ushtrisë izraelite, katër ushtarë u vranë kur makina e tyre u godit nga një raketë kundërtanke. Të tjerët u vranë gjatë luftimeve sporadike.

Me vdekjen e ushtarëve gjatë fundjavës, numri i ushtarëve izraelitë të vrarë që nga nisja e ofensivës në Gazë ka arritur në 153.

“Lufta kërkon një çmim shumë të lartë nga ne, por ne nuk kemi zgjidhje pos të vazhdojmë të luftojmë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë mbledhjes së Kabinetit të Luftës të dielën.

“Ne do të vazhdojmë me gjithë forcën tonë, deri në fund, deri në fitore, derisa të arrijmë qëllimet tona”, shtoi ai.

Edhe pse izraelitët mbështesin luftën, pakënaqësitë janë rritur kundër Qeverisë së Netanyahut, të cilin shumë e kritikojnë për dështim që të mbrojë civilët më 7 tetor dhe për politika që kanë lejuar Hamasin të forcohet gjatë viteve.

Të shtunën mbrëma, mijëra persona protestuan në Tel Aviv, duke brohoritu “Bibi, Bibi, nuk të duam më”, duke iu referuar Netanyahut me nofkën e tij.

Netanyahu ka shmangur që të pranojnë përgjegjësinë për dështimet e ushtrisë dhe të politikave që çuan në ngjarjet e 7 tetorit, duke thënë se ai do t’iu përgjigjet pyetjeve të vështira kur të përfundojë lufta.

Të shtunën, ushtria izraelite njoftoi se po zgjeron ofensivën e saj në veri dhe jug të Gazës dhe trupat u tha se po luftojnë në Han Junis, qytetin e dytë më të madh në Gazë, ku Izraeli beson se po fshihen udhëheqësit e Hamasit.

Ofensiva e Izraelit ka qenë një prej fushatave më shkatërruese ushtarake në historinë moderne, duke shkaktuar numër të lartë të viktimave në mesin e civilëve palestinezë. Mbi dy e treta e viktimave janë gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika