Në veri të Mitrovicës janë gjetur mjete të rrezikshme që do të mund të përdoreshin për sulme ndaj Policisë, duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëve.
Sipas Policisë, në lagjen e Boshnjakeve, përball Shkollës së Mesme Teknike, në orët e hershme kanë pranuar informacione nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa gjërave (pajisjeve te rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin në realizimin e detyrave ligjore.
Me ç‘rast, në lagjen e Boshnjakeve, Policia ka realizuar një operacion kontrolli dhe aty kanë gjetur tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymosëse, municion dhe një uniformë.
Vlen të theksohet se, sipas Policisë, uniforma e gjetur është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist ne Banjskë në shtator të këtij viti.
Siç thuhet tutje në njoftim, aksionet operative policore në terren janë ende duke vazhduar me qëllim të identifikimit të automjeteve të huaja të dyshuara për të parandaluar rrezikimin e qytetarëve apo për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës.