Bazuar në një sondazh në kuadër të OMNIBUS-it, që realizohet nga UBO Consulting e të porositur nga RTV Dukagjini për matjen e opinionit publik se kush po bën opozitën më të fortë ndaj kryeministrit Albin Kurti, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, ka dalë i pari në listë, duke kryesuar me 29.6 për qind.
Sipas elektoratit, përkatësisht 1 mijë e 66 të të anketuarve, në vend të dytë është listuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me 17.4 për qind, duke lënë pas kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me 16.3 për qind.
Kështu ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri, në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, teksa prezantoi të dhënat e fundit, ku RTV Dukagjini si porositës i sondazhit ka përfshirë disa pyetje.
“Fatmir Limaj po bën opozitë 3.6 për qind, Vjosa Osmani 8.3 për qind, Ramush Haradinaj 16.3 për qind, Memli Krasniqi 17.4 për qind, Lumir Abdixhiku 29.6 për qind, Hashim Thaçi 10.4 për qind, Kadri Veseli 2.8 për qind, dikush tjetër 11.5 për qind”, thekson Panduri.
OMNIBUS-i bëhet në baza të rregullta çdo tre muaj.
Të anketuar janë 1 mijë e 66 persona dhe të dhënat janë mbledhur në mes të datës 16 dhe 23 dhjetor.