Gjatë të hënës së 25 dhjetorit, Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të Mitrovicës janë gjetur mjete të rrezikshme që do të mund të përdoreshin për sulme ndaj Policisë, duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëve.
Sipas Policisë, në lagjen e Boshnjakeve, përball Shkollës së Mesme Teknike, në orët e hershme kanë pranuar informacione nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa gjërave (pajisjeve të rrezikshme) të dyshuara, që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin në realizimin e detyrave ligjore.
Me ç‘rast, në lagjen e Boshnjakeve, Policia ka realizuar një operacion kontrolli dhe aty kanë gjetur tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymosëse, municion dhe një uniformë.
Siç thuhet tutje në njoftim, aksionet operative policore në terren janë ende duke vazhduar me qëllim të identifikimit të automjeteve të huaja të dyshuara për të parandaluar rrezikimin e qytetarëve apo për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës.
Armët dhe pajisjet ushtarake janë zbuluar nga zyrtarët falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia.
“Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollat me skaner, ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Sipas njoftimit, pas zbulimit konform kompetencës ligjore, rastet i janë kaluar Policisë Kufitare për procedim penal ndaj personave përgjegjës.
“Tani që frekuentimi i vendkalimeve kufitare është shumë i lartë, zyrtarët doganorë janë vënë në shërbim të qytetarëve tanë nga diaspora dhe njëherit janë të përkushtuar të zbatojnë kontrolla të shënjestruara, për t’i parandaluar keqpërdorimet e ngarkesës në vendkalime nga persona të prirë në kriminalitet. Ky është balanci që synon të mirëmbajë Dogana e Kosovës gjatë zbatimit të misionit të saj- kalim të lehtësuar, por të sigurt të kufirit shtetëror”, thuhet tutje në njoftim.