Të pagjeturit – plagët mbesin ende të hapura për familjarët

Plagët e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 mbesin ende të hapura edhe pas kaq shumë vjetësh. Institucionet e Kosovës thonë se, për të siguruar informatat që do të kontribuonin në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë e, po ashtu, edhe informatat për varrezat e tjera të mundshme masive, është e nevojshme qasja në arkivat e Serbisë

Po bëhen 25 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende nuk është vënë drejtësia nga institucionet përgjegjëse për personat e vrarë e të zhdukur nga regjimi serb i Beogradit.

Edhe në vitin që lamë pas, plagët e familjarëve, që kanë humbur më të dashurit e tyre, kanë vazhduar të jenë të njëjta, ata vazhdojnë pareshtur duke kërkuar drejtësi.

Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit ka thënë se edhe viti 2023 karakterizohet si një vit i angazhimeve dhe i përpjekjeve maksimale të adresimit, në kuptim edhe të vlerësimit në terren të çdo informate, që do të mund t’i kontribuonte zgjidhjes së rasteve të personave të zhdukur me forcë.

Kushtrim Gara nga ky komision, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se janë 15 lokacione të adresuara, në të cilat janë realizuar gërmimet vlerësuese.

Gara ka bërë të ditur se pjesa më e madhe nga 15 lokacionet e proceduara, më saktësisht, rreth 9 prej tyre, kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 20 personave, viktima të luftës.

“Janë 15 lokacione të adresuara, përkatësisht në të cilat janë realizuar gërmimet vlerësuese. Në fakt, numri i lokacioneve të trajtuara kalon numrin prej 20 lokacioneve, megjithatë 15 lokacionet e potencuar ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës”, ka thënë Gara.

Kushtrim Gara, Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit

Ai thotë se para çdo gërmimi në terren, janë realizuar një sërë takimesh konsultative, me qëllim të shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha të dhënave, si dhe me qëllim të bashkërendimit e koordinimit më të mirë ndërinstitucional, gjithnjë duke vlerësuar lart angazhimin, jo vetëm të kolegëve të Komisionit, por edhe të ekspertëve mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të hetuesve e zyrtarëve policorë të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

“Po ashtu, duhet theksuar se nga lokacionet me gjetje, rreth 6 prej tyre janë adresuar sipas raporteve analitike që kemi pranuar gjatë këtyre viteve nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që para çdo gërmimi në terren, janë realizuar një sërë takimesh konsultative, me qëllim të shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha të dhënave, si dhe me qëllim të bashkërendimit e koordinimit më të mirë ndërinstitucional, gjithnjë duke vlerësuar lart angazhimin, jo vetëm të kolegëve të Komisionit, por edhe ekspertëve mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) dhe hetuesve e zyrtarëve policorë të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës”, ka vijuar ai.

Ai ka theksuar se numri 15 i lokacioneve, ndonëse mund të tingëllojë numër i zakonshëm, janë 70 dite pune gërmimi në terren.

Si sfidë ai ka përmendur edhe lokacionet specifike, si atë në Bishtazhin të Gjakovës apo lokacionet në hapësirat e varrezave, si në lagjen Mat/Matiqan të Prishtinës dhe Arbanë e Tusuz të Prizrenit”.

Foto nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit

“Numri prej 15 lokacioneve, sigurisht që mund të tingëllojë, nëse mund të shprehemi kështu, si numër i zakonshëm në krahasim edhe me gërmimet e realizuara gjatë viteve paraprake. Megjithatë duhet theksuar se janë më shumë se 70 ditë pune gërmimi në terren. Dhe në mesin e lokacioneve të adresuara gjatë këtij viti përfshihen edhe lokacione mjaft specifike dhe sfiduese për t’u adresuar, për shkak të specifikave të terrenit, si rasti i lokacionit në Bishtazhin të Gjakovës apo lokacionet në hapësirat e varrezave si në lagjen Mat/Matiqan të Prishtinës dhe Arbanë e Tusuz të Prizrenit”, ka theksuar Gara.

Sfidë mbetet mungesa e bashkëpunimit të institucioneve të Serbisë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Gara akuzon Serbinë për mosbashkëpunim dhe mosgatishmëri për të ndriçuar fatin e të zhdukurve me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Lokacioni i gërmimeve në Tusuz të Prizrenit/ 10 Nëntor 2023

“Është e rëndësishme që edhe këtë vit, çështja e personave të zhdukur me forcë është adresuar si çështje prioritare edhe në ‘Dialogun e Brukselit’. Edhe në marrëveshjet e arritura mbetet si çështje e natyrës urgjente. Megjithatë, edhe në këtë rast, shqetësuese dhe sfiduese, edhe në kuptim të adresimit të lokacioneve brenda territorit të Serbisë, mbetet qasja politizuese në vazhdimësi e Beogradit kundrejt këtij procesi”, ka shtuar ai.

Ndonëse “Deklarata për të Zhdukurit” është miratuar më 2 maj në Bruksel, ka ngecje në implementimin e saj nga pala serbe.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës më 2020. FOTO: Iva Martinovic, REL

Ai thotë se prioritet mbesin kërkesat për qasje në lokacionet e shënjuara të vendvarrezave të mundshme masive në territorin e Serbisë, qoftë për të caktuar datën për fillimin e gërmimeve në këto lokacione, apo edhe për të caktuar datën për vazhdimin e gërmimeve në lokacionet e papërfunduara përkundër gërmimeve e vlerësimeve gjatë viteve paraprake.

“Kërkesat edhe në kuptim të zbatimit të marrëveshjeve, siç ishte edhe kërkesa e adresuar nga kryesuesi i Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur, për presidentin e Serbisë, me datë 1 qershor 2023, për qasje në ‘arkivat e Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave’ përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës në regjionin e Drenicës. Krahas kërkesave për qasje dhe sigurim të informatave nga arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe Policisë serbe, si përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale të kryera gjatë luftës në Kosovë, po ashtu, mbesin prioritare dhe të rëndësisë së veçantë kërkesat për qasje në lokacionet e shënjuara të vendvarrezave të mundshme masive në territorin e Serbisë, qoftë për të caktuar datën për fillimin e gërmimeve në këto lokacione, apo edhe për të caktuar datën për vazhdimin e gërmimeve në lokacionet e papërfunduara përkundër gërmimeve e vlerësimeve gjatë viteve paraprake”.

Ai ka theksuar se, në fillim të vitit 2024, Komisioni Qeveritar për të Zhdukur do të pranojë raporte të tjera nga Komisioni Ndërkombëtar dhe pastaj do të njoftohen familjet e personave të identifikuar.

“Janë dërguar rreth 65 mostra nga ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës për testim, gjegjësisht për analizë të ADN-së në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur me seli në Mbretërinë e Holandës. Mostrat e dërguara për analizë të ADN-së janë nga mbetjet mortore të zhvarrosura gjatë këtij viti, por edhe nga mbetjet mortore të paidentifikuara që vazhdojnë të jenë në kujdesin e IML-së, pra nga ‘procesi i rishqyrtimit të hollësishëm të të gjitha rasteve të mbetjeve mortore të paidentifikuara’, proces ky i filluar qysh në nëntor të vitit 2021, e që ka vazhduar edhe këtë vit. Tanimë kemi filluar edhe të pranojmë raportet nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur dhe sigurisht edhe në fillim të vitit 2024 do të pranojmë raportet tjera dhe pastaj si hap i parë, siç praktikohet gjithnjë, duhet njoftuar familjet e personave te identifikuar”, ka vijuar ai.

Nën një mot me shi, gërmimet në Prekaz nuk kanë ndaluar për asnjë çast. 21 Nëntor 2023

Gara thekson se lokacionet që do të adresohen në fillim të vitit do të jenë: një lokacion në Komunën e Suharekës, një lokacion në Komunën e Vitisë, një lokacion në Komunën e Podujevës e lokacione të tjera.

“Kemi disa lokacione tanimë të shënjuara brenda territorit të Republikës së Kosovës, për të paktën 3 prej tyre janë siguruar edhe urdhëresat nga gjykatat kompetente, gjithnjë duke vlerësuar lart edhe angazhimin e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe prokurorive kompetente. Po ashtu, disa nga lokacionet do të barten edhe nga viti 2023 për rivlerësim. Lokacionet që do të adresohen në fillim të vitit do të jenë: një lokacion në Komunën e Suharekës, një lokacion në Komunën e Vitisë, një lokacion në Komunën e Podujevës dhe lokacionet tjera. Sigurisht që duhet ritheksuar se Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur do të vazhdojë të jetë shembull në rajon e më gjerë për mënyrën e trajtimit dhe adresimit të çdo informate që do të mund të kontribuonte në respektimin e një të drejte elementare të familjeve të personave të zhdukur, siç është e drejta për të vërtetën apo e drejta për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer e zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë. Sfidë dhe shqetësuese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë, për shkak të qasjes, siç e lartcekëm, politizuese të Serbisë karshi kësaj çështje”.

Sipas Garës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë me përkushtimin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave dhe në realizim të aktiviteteve “në përpjekje të respektimit të të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, para se gjithash, të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe të zhdukur dhunshëm”.

Gërmime në Bishtazhin të Gjakovës/ 20 Tetor 2023

“Edhe gjatë vitit 2024 çështja e personave të zhdukur do të vazhdojë të trajtohet si çështje prioritare, permanente dhe aktuale. Sigurisht, do të vazhdohet me angazhimin maksimal në bashkërendim të plotë edhe me institucionet tjera dhe partnerët ndërkombëtarë, e para se gjithash, me familjet dhe familjarët e personave të zhdukur në sigurimin dhe adresimin e informatave që do të kontribuonin në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur”.

Me theks të veçantë, siç thotë Gara, do të jetë komunikimi dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për mundësinë e rritjes së presionit ndaj palës serbe, për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, në kuptim edhe të ofrimit të të dhënave nga arkivat e tyre, duke iu referuar marrëveshjeve të arritura gjatë vitit 2023.

Gjatë vitit që lamë pas, pati aktivitete gërmuese në Prekaz.

Gjatë gërmimeve dhe zhvarrimeve në lokacionin e shënjuar në Prekaz të Poshtëm për tri javë, ekipet mjekoligjore të IML-së dhe EULEX-it kanë arritur të gjejnë dhe zhvarrosin mbetjet skeletore të 6 individëve, të cilët i takojnë kohës së luftës së fundit.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kishte thënë se bëhet fjalë për eshtrat e së paku gjashtë personave të zhdukur, “por, për të konfirmuar numrin dhe identitetin e individëve të zhvarrosur, është i domosdoshëm përfundimi i të gjitha procedurave nga institucionet relevante, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe publikut”.

Si adresim në vitin 2024, ky komision thotë se do të jetë edhe finalizimi i procesit të avancimit të bazës ligjore, në përpjekje për një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të personave të zhdukur.

Ndryshe, Deklarata për Personat e Zhdukur u miratua në Bruksel më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Foto ilustrim

Mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe mbi 1 mijë e 600 konsiderohen të zhdukur.

Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.

Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë – lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika