Reperi i njohur me nofkën Fero, ka reaguar pas lajmit të vrasjes së një të riu në qytetin e Ferizajt.
Siç duket, viktima dhe reperi Fero kanë qenë shokë.
Në profilin e tij në Instagram, ai ka publikuar një foto ku besohet të jetë bashkë me të ndjerin, në të cilën ka shkruar “Allahu n’xhenet vlla”.
Në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, një 30-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë, nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J. i moshës 30-vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H i moshës 30 -vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.
Nga Policia Rajonale në Ferizaj është pranuar një informacion se, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri.
Patrullat e policisë menjëherë i janë përgjigjur kësaj thirrjeje dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Përveç patrullave të policisë, në vend të ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
Më tutje në njoftim thuhet se, “I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që në një moment i kthehet zyrtarëve policorë dhe njëri zyrtar policor për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e ka përdorur armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit”.
Po ashtu, i dyshuari, menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK).